Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe Drejtoresha Ekzekutive e Platformës, CiviKos, Donika Emini në një konferencë të përbashkët për media, kanë shpalosur rekomandimet e tyre rreth zhvillimeve të fundit të përballjes me pandeminë dhe mundësinë e rritjes së shifrave të vaksinimit në Kosovë.
Siç është bërë e ditur, këto rekomandime janë përpiluar pas konsultimeve me përfaqësues biznesesh dhe partnerë nga shoqëria civile.
Në konferencë është potencuar se rritja e numrit të të infektuarve dhe vaksinimi i ngadaltë kanë ngritur shqetësime për mbyllje të reja që do të rezultonin me situatë ekonomike të vështirësuar për sektorin privat dhe familjet që varen nga të ardhurat e këtij sektori.
Në kuadër të kësaj OEK dhe CiviKos kanë përmbledhur disa rekomandime siç janë, heqja e burokracisë në rezervimin e terminëve për qasje më të lehtë e të thjeshtësuar të qytetarëve, mundësia e vaksinimit në qendrën më të afërt, pa marrë parasysh vendbanimin e regjistruar zyrtarisht, vaksinimi përmes ekipeve mobile nëpër biznese, pasiqë aktiviteti i tyre ekonomik po pengohet nga oraret e limituara e ndërkohë rrezikshmëria nga kontakti me njerëz duke qenë të pavaksinuar rritet.
Rekomandim tjetër është edhe që ekipet mobile të vaksinimit për vendet më rurale e të izoluara, e sidomos ato që banohen nga komunitetet e kanë përgjithësisht më pak informata të sakta, riorganizimi i resurseve të punëtorëve të shëndetësisë në atë mënyrë që oraret e vaksinimeve të vazhdojnë edhe në vikend, vaksinimi në sheshet e qendrave kryesore në vend për të arritur shifra që përkojnë me një vaksinim masiv të vendit dhe bashkëpunimi me shtete tjera për t’u siguruar që pasaporta jonë e vaksinimit do të pranohet si dëshmi nga ato shtete për të penguar pengesat eventuale në lëvizjen e lirë.