Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga data 15 qershor 2021, në vendin tonë fillon procesi i vaksinimit në masë kundër COVID-19, bazuar në Planin e Vepimit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19.
“Në të njëjtën kohë, Ministria tërheq vëmendjen dhe i lut qytetarët që, me qëllim të shmangies së çfarëdo situate të panevojshme, në qendrat e vaksinimit të drejtohen vetëm ata qytetarë, të cilët marrin thirrjen (njoftimin) për vaksinim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, sipas terminëve të caktuara përmes platformës eKosova”, thuhet në njoftimin për media.
MSh ka njoftuar se me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit, Ministria, në bashkëpunim me komunat, ka krijuar hapësira të reja për vaksinim; ka shtuar kapacitetet humane duke organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi; ka ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim që procesi i vaksinimit në masë të fillojë dhe qytetetarët të vaksinohen sipas kategorive të përcaktuara në Planin Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19 dhe kategorive të përcaktuara në tre fazat e këtij plani.





