Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët do të mund të marrin atë vaksinë e cila do ju ofrohet në qendrat e vaksinimit. Mirëpo, veç pak ditë më parë, e njëjta ministri ka thënë se qytetarët mund të zgjedhin se cilën vaksinë duan ta marrin.
Dy ditë pasi Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se qytetarët do të mund të zgjedhin cilëndo vaksinë për t’u vaksinuar, ky dikaster ka marrë vendim që t’ua ndalojë qendrave të vaksinimit vaksinimin e qytetarëve me dozën e parë të vaksinës nga Pfizer.
Kjo ka bërë që shumë qytetarë që kanë pasur termine për t’u vaksinuar të kthehen prapa, për shkak se kanë kërkuar që të vaksinohen me vaksinën Pfizer.
Kur janë pyetur për këtë çështje, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se Kosova është një ndër vendet e rralla të rajonit e cila nuk ka pranuar vaksina të paaprovuara për përdorim nga Agjencia Evropiane e Barnave. Andaj, edhe sipas MSH’së, qytetarët do të mund të marrin atë vaksinë e cila do ju ofrohet në qendrat e vaksinimit.
“Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se Kosova është një nga vendet e rralla të rajonit e cila nuk ka pranuar vaksina të pa aprovuara për përdorim nga EMA. Prandaj, duke qenë që janë siguruar dy lloje të vaksinave, që të dy të aprovuara dhe të përdorura gjerësisht në shumë vende të botës, qytetarët do ta marrin atë vaksinë e cila do të ju ofrohet në qendrat e vaksinimit, të cilat janë furnizuar me vaksina kundër COVID-19. Aktualisht qendrat e vaksinimit kanë në përdorim për dozën e parë vaksinën Astra Zeneca, ndërsa Pfizer është duke u administruar tek dozat e dyta, për ata që edhe dozën e parë e kanë marrë të kësaj vaksine. Kosova ka doza të mjaftueshme të vaksinave kundër COVID-19 nga dy llojet në dispozicion dhe ato do të administrohen në mënyrë racionale”, është thënë nga kjo ministri.
Ndërsa, drejtorë të Shëndetësisë në komuna kanë thënë për Express se Ministria e Shëndetësisë mbrëmë u ka dërguar një email duke u kërkuar që të mos u japin qytetarëve dozën e parë nga vaksina Pfizer.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili ka thënë se një numër i madh i qytetarëve është kthyer prapa për shkak se u është mohuar e drejta për të zgjedhur vaksinën.
Ndonëse ka thënë se kanë pasur mjaftueshëm doza të vaksinave Pfizer, ato nuk kanë mundur t’i shfrytëzojnë në dhënien e dozës së parë.
“Mbrëmë ka ardhur njoftimi ku thuhet që qytetarët për dozën e parë duhet të vaksinohen vetëm me AstraZeneca. Terminet i kanë caktuar qytetarët mëherët duke shpresuar që do të ketë vaksina Pfizer, por një numër i konsiderueshëm nuk ka dashur të vaksinohet me AstraZeneca. Do të thotë ju ka mohuar e drejta e zgjedhjes së vaksinës”, ka thënë ai.
Edhe drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Afërdita Spahiu-Shllaku ka thënë për Express se një numër i madh i qytetarëve janë kthyer prapa për shkak se nuk kanë dashur të vaksinohen me vaksinën e AstraZenecas.
Ajo është shprehur se këta qytetarë do të kenë mundësinë që të vaksinohen herëve tjera, nëse lejohet nga Ministria e Shëndetësisë që të vaksinohen me vaksinën Pfizer.
“Unë sot isha në vizitë në qendër të vaksinimit dhe ata ishin duke i kthyer pacientët të cilët kërkonin të merrnin dozën e parë të vaksinës Pfizer. Atëherë kërkova me shkrim se çfarë njoftimi kanë nga ministria dhe ma përcollën që vetëm dozën e parë munden me e marrë AstraZeneca, dozën e dytë kush e ka bërë Pfizer mund të vazhdoj Pfizer. Ka pasur shumë qytetarë që janë kthyer për shkak të llojit të vaksinës, nuk kanë pranuar të marrin AstraZeneca. Këto janë vendime të ministrisë që duhet të ju përmbahemi”, ka shtuar ajo.
Kujtojmë që Kosova më 3 korrik ka pranuar 182 mijë e 900 doza të vaksinës AstraZeneca Norvegjia.
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kujdesit të Norvegjisë, Saliba Andreas Korkunc, ka thënë ditë më parë për Express se 12 mijë e 500 dozave të vaksinave iu skadon afati më 31 korrik të këtij viti, ndërsa 170 mijë e 400 të tjerave u skadon më 31 gusht