Inspektorati Shëndetësor po mbledh të dhënat lidhur me rastin e ndodhur në Klinikën e Kardiokirurgjisë, ku një pacient ka vdekur disa orë pasi kishte kaluar një operacion të vështirë. Drejtori i kësaj klinike kishte thënë se kirurgu që kreu këtë operacion ishte pa përvojë për të. Kurse kirurgu ka thënë se ndaj tij është bërë tentim për eliminim profesional.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se ka aktivizuar mekanizmat e saj për zbardhjen e rastit.
“Inspektorati Shëndetësor, në bazë të kompetencave ligjore është në fazën e mbledhjes së të dhënave lidhur me rastin në fjalë. Vlerësimi i përgjegjësive u takon organeve kompetente, andaj jemi në pritje të raporteve zyrtare të këtyre organeve”, ka thënë MSH-ja.





