LAJME

MPB pret në vizitë delegacionin shqiptar për shkëmbim përvojash në fushën e menaxhimit të kufijve

MPB pret në vizitë delegacionin shqiptar për shkëmbim përvojash në fushën e menaxhimit të kufijve
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Prill 2026, 12:34

Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, Genc Metaj, bashkë me zyrtarë të tjerë të MPB-së, kanë pritur sot në takim një delegacion nga Policia Kufitare dhe e Migracionit e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të një vizite studimore që po zhvillojnë në vendin tonë.

Sipas MPB-së, takimi u përqendrua në prezantimin e përvojës së Republikës së Kosovës në menaxhimin e integruar të kufirit, duke përfshirë të arriturat kryesore, kornizën ligjore, si dhe proceset e ndërtimit dhe funksionalizimit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Siç bëhet e ditur, në këtë takim, përfaqësuesit e Republikës së Kosovës ndanë me delegacionin shqiptar praktikat e tyre në koordinimin ndërinstitucional dhe përdorimin e kapaciteteve operacionale dhe teknologjike në fushën e menaxhimit të kufirit. Po ashtu, thuhet se u theksuan të arriturat e bashkëpunimit mes dy vendeve për një menaxhim dhe kontroll sa më efikas të kufijve, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Delegacioni nga Shqipëria përbëhej nga zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe ekspertë ndërkombëtarë të angazhuar në kuadër të projektit (EU4SafeAlbania), të cilët shprehën interes të veçantë për modelin e Kosovës si një shembull praktik dhe krahasues me praktikat që zbatohen në Republikën e Shqipërisë.

“Gjatë diskutimeve, të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimit të përvojave për adresimin e sfidave të përbashkëta në fushën e sigurisë kufitare dhe menaxhimit të migracionit. U vlerësua gjithashtu se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, përveç dimensionit zyrtar, kanë edhe karakter të veçantë vëllazëror” – thuhet tutje.

MPB bën të ditur se vizita studimore do të vazhdojë edhe me aktivitete të tjera, përfshirë vizita në terren dhe në strukturat e sigurisë në Kosovë, me qëllim të njohjes nga afër të funksionimit sidomos të pikave kufitare dhe mekanizmave tjerë përcjellës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika