Ministria e Punëve të Brendshme ka ndarë një dokument udhëzues që informon shtetasit e huaj për detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në Republikën e Kosovës.
“Të dashur vizitorë, mirësevini në Republikën e Kosovës! Ju dëshirojmë qëndrim të këndshëm në vendin tonë. Jemi të obliguar të ju njoftojmë me të drejtat dhe obligimet për qytetarët e huaj e mysafirë në Republikën e Kosovës, për të bërë edhe qëndrimin tuaj në shtetin tonë më të lehtë e në përputhje me rregullat e ligjet e vendit tonë” – shkruan MPB.
– Sipas MPB-së, me rastin e hyrjes në Republikën e Kosovës, i huaji duhet:
- të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi;
- të posedojë vizë ose leje qëndrimi, kur kërkohet;
- të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit;
- të lajmërojë adresën e qëndrimit në afat prej 3 ditësh nga dita e hyrjes, në kufi apo në stacionin më të afërt policor;
- të ketë mjete të mjaftueshme për jetesë;
- të respektojë ligjet e Republikës së Kosovës;
- të mos ketë ndalim të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës;
- të mos përbëjë kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin dhe shëndetin publik.
– Me rast të qëndrimit afatshkurtër:
- I huaji mund të qëndrojë deri në 90 ditë brenda periudhës kohore prej 180 ditë pa vizë ose me vizë kur kjo kërkohet,
- Nuk i lejohet puna/punësimi gjatë kësaj periudhe pa leje pune;
- Çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim.
– Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi:
- kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë;
- kërkohet leje pune;
- Kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë;
- puna pa leje është e ndaluar.
- Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit.
– Qëndrimi për qëllime të tjera:
– Për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet:
- pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe
- plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit.
- Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë.
– Pasoja në rast shkeljeje
Sipas MPB, atëherë kur nuk veprohet në pajtim me përcaktimet ligjore që lidhen me hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve, autoritetet kompetente mund të marrin masat e përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë por nuk kufizohen në:
- anulimin e lejeqëndrimit,
- shqiptimin e gjobës,
- urdhërimin e largimit dhe
- ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
“Për më shumë informacion, ju lutemi ti referoheni Ligjit Nr.04/L-219 për të Huajt, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës” – thekson MPB.
