Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka lansuar aplikacionin për deklarimin e adresës për shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit të MPB-së, aplikacioni mund të shkarkohet në telefonat mobil me sistem Android dhe iOS, ndërsa deklarimi i adresës mund të bëhet edhe përmes ueb-it në platformën e Policisë së Kosovës. Ky shërbim është pjesë e përpjekjeve të ministrisë për digjitalizimin e shërbimeve dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët e huaj që qëndrojnë në vend.
MPB thekson se aplikacioni është i thjeshtë për t’u përdorur dhe përmban rubrikat e nevojshme që shtetasit e huaj duhet t’i plotësojnë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë. Sipas legjislacionit në fuqi, deklarimi i adresës duhet të bëhet brenda tre ditëve nga hyrja në Republikën e Kosovës, dhe kjo mund të kryhet përmes aplikacionit, ueb-it të Policisë së Kosovës ose në stacionin më të afërt policor.
Ndërkohë, Ministria njoftoi se pas përfundimit të periudhës informuese deri më 15 mars, nga 16 marsi mund të fillojë aplikimi për lejeqëndrim ose lajmërim të adresës, në përputhje me Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjete. Këto masa po ndërmerren pas deklarimeve të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, të bëra më 14 mars.
Në kuadër të këtij procesi, MPB bëri të ditur se do të nxjerrë akte administrative për të mundësuar, për një periudhë tre mujore, regjistrimin e fakteve të lindjes, martesës dhe vdekjes që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar në institucionet jolegale paralele serbe, me qëllim integrimin e tyre në Regjistrin Civil të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, do të merret vendim për njohjen e përkohshme të kartave të identitetit të lëshuara nga këto struktura, vetëm për qëllime identifikimi dhe në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
MPB thekson se në bashkëpunim me institucionet përkatëse, përfshirë Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe Policinë e Kosovës, do të ofrohen informatat dhe udhëzimet e nevojshme për qytetarët e prekur nga këto vendime, ndërsa institucionet po përgatiten edhe për fillimin e lëshimit të lejeqëndrimeve të përkohshme për personat që aplikojnë sipas procedurave ligjore.
Ministria u bën thirrje të gjithë shtetasve të huaj që hyjnë në Kosovë të deklarojnë adresën e tyre brenda afatit ligjor, duke përdorur njërën nga format e mëposhtme:
• iOS (iPhone): https://apps.apple.com/app/id6759111987
• Android: https://play.google.com/store/apps/details?id=com.foreignerregistration
• Web: https://foreignerregistration.kosovopolice.com:8444/
MPB thekson se këto veprime synojnë zbatimin e rregullt dhe të koordinuar të ligjeve, duke garantuar qasje në shërbime dhe siguri juridike për të gjithë qytetarët, në përputhje me standardet evropiane dhe sundimin e ligjit.