Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se është mbajtur takimi i grupit për implementimin e Strategjisë dhe Udhërrëfyesit Rajonal për Armë të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivë – AVLE. Takimi u kryesua nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, përkatësisht Koordinatori Nacional për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivëve.
Në njoftim bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u bë një vlerësim i përgjithshëm i të gjitha objektivave strategjike dhe zbatimit në praktikë të aktiviteteve që dalin nga Strategjia dhe Udhërrëfyesi Rajonal, ku thuhet se u konstatua që një pjesë e madhe e aktiviteteve janë duke u zbatuar sipas dinamikës së planifikuar, ndërkohë që u diskutuan edhe sfidat për disa aktivitete tjera.
“Ky takim pati theks të veçantë, fushatën vetëdijesuese: “Festo me zemër, jo me armë”, që është duke u zbatuar aktualisht nga MPB dhe me këtë rast zëvendësministri Gashani, vuri në pah se kjo fushatë do të vijojë të jetë dinamike gjatë gjithë vitit, me qëllim që të arrihen synimet për rënien e numrit të rasteve ku ka të shtëna festive. Zëvendësministri Gashani vuri në dukje se fushata është duke i dhënë efektet e saj, pasi kemi një numër të shtuar të rasteve kur qytetarët janë duke i raportuar këto të shtëna, ndërkohë që këto raportime janë duke u trajtuar seriozisht në veprime konkrete nga Policia e Kosovës, të cilët janë dukë ndërhyrë në konfiskimin e armëve dhe arrestimin e të dyshuarave.”, thuhet tutje në njoftimin e MPB-së.






