Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po vazhdon aktivitetet informuese në kuadër të procesit të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.
Në kuadër të kësaj fushate informuese, MPB bën të ditur se janë vendosur posterë në të gjitha Qendrat Komunale të Regjistrimit të Gjendjes Civile dhe Regjistrimit të Automjeteve, në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës, si dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me qëllim të informimit të qytetarëve për zbatimin e këtyre dy ligjeve.
Sipas MPB-së, qëllimi i kësaj fushate e cila do të zgjasë deri me 15 mars 2026 dhe do të përfshijë edhe aktivitete të tjera është informimi dhe vetëdijesimi i qytetarëve lidhur me procedurat ligjore për hyrje, qëndrim dhe punësim në Republikën e Kosovës, si dhe për rregullat dhe obligimet që kanë të bëjnë me drejtimin dhe qarkullimin e automjeteve në territorin e vendit.
Në fund, Ministria e Punëve të Brendshme ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe të gjithë zyrtarët e angazhuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë realizimit të kësaj fushate, si dhe shpreh mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin e tyre.