Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se dita e diel, do të karakterizohet me mot me vranësira të ndryshueshme dhe intervale më të gjata me diell, si rezultat i stabilizimit gradual të kushteve atmosferike në vend.
Sipas parashikimit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6 dhe 9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 19 deri në 22 gradë Celsius.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes.
IHMK-ja ka bërë të ditur gjithashtu se kushtet agrometeorologjike gjatë fundjavës paraqiten përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore pranverore, veçanërisht për drithërat dhe perimet që ndodhen në fazat intensive të vegjetacionit.
Sipas njoftimit, reshjet lokale të ditëve të fundit pritet të ndikojnë pozitivisht në ruajtjen e lagështisë në shtresat sipërfaqësore të tokës, ndërsa intervalet me diell dhe temperaturat relativisht të buta do të favorizojnë zhvillimin fiziologjik të bimëve.
Instituti u ka rekomanduar fermerëve që trajtimet fitosanitare dhe aktivitetet në parcela t’i planifikojnë kryesisht gjatë periudhave pa reshje dhe me erë më të dobët, për shkak të mundësisë së proceseve konvektive dhe shkarkimeve elektrike në disa zona të vendit.