lInstituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se dita e diel, do të karakterizohet me mot kryesisht të vranët dhe intervale të herëpashershme me diell.
Sipas parashikimit, vranësirat vende-vende pritet të sjellin reshje shiu, ndërsa temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6 dhe 9 gradë Celsius. Temperaturat maksimale gjatë ditës parashihet të arrijnë nga 15 deri në 17 gradë Celsius.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes.
Sa i përket kushteve agrometeorologjike, reshjet e herëpashershme dhe temperaturat relativisht të favorshme pritet të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e kulturave bujqësore pranverore. Megjithatë, fermerët këshillohen të tregojnë kujdes nga lagështia e shtuar, e cila mund të krijojë kushte për paraqitjen e sëmundjeve kërpudhore në disa kultura.
Instituti bën të ditur se cilësia e ajrit do të mbetet kryesisht e mirë deri mesatare, falë qarkullimit të masave ajrore dhe erërave të lehta deri mesatare.
Po ashtu, gjatë intervaleve me diell indeksi UV do të jetë i lartë, ndaj rekomandohet shmangia e ekspozimit të gjatë në diell gjatë orëve të mesditës, veçanërisht nga ora 10:00 deri në 16:00.