Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e ardhshme do të nisë me mot të vranët dhe me shi. Gjatë së hënës, temperaturat mbeten tipike vjeshtore në të dy vlerat ekstreme, teksa reshjet do të jenë të intensitetit mesatar dhe të lartë pothuajse në gjithë territorin.
Sipas njoftimit të IHMK-së, gjatë gjithë ditës të së martës do të ketë kushte për shkarkime rrufesh.
“Në fusha termike nuk parashihen ndryshime të mëdha. Reshjet do të jenë të intensitetit mesatar deri të lartë, më shumë në rrafshin e Dukagjinit”, thuhet në njoftim.
Të mërkurën do të ketë ndryshim moti, kryesisht i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat vende-vende parashihen të shoqërohen me riga shiu të intensitetit të dobët.
“Të enjten, mot kryesisht i vranët dhe me kushte për reshje. Në shumë zona parashihet të ketë edhe intervale me diell. Grafiku në fushat termike mbetet i pandryshuar dhe konstant. Edhe të premten mbetet pothuajse ngjashëm sa i përket kushteve meteorologjike. Vranët dhe me intervale me diell. Parashihet që vende-vende të ketë riga shiu”, thuhet në njoftim.
Gjatë gjithë javës do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë dhe mesatarisht e fortë./koha.net/