LAJME

Moskonstituimi i institucioneve, Abrashi nga LVV: Jemi në gjendje gatishmërie, por po presim “diçka konkrete”

Moskonstituimi i institucioneve, Abrashi nga LVV: Jemi në gjendje gatishmërie, por po presim “diçka konkrete”
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Korrik 2026, 07:41

Ndonëse, pas takimeve të para të zhvilluara me krerët e partive opozitare, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, paralajmëroi vazhdimin e tyre, deri më tani nuk është mbajtur asnjë takim tjetër për formimin e institucioneve të reja.

Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të kanë kohë deri më 07.08.2026 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, megjithatë jo me patjetër duhet të pritet fundi i këtij afati.

Për të marrë vesh nëse LVV ka dërguar ndonjë ftesë të re për takim qoftë te Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës apo Aleanca, Kallxo.com foli me deputetin e zgjedhur të kësaj partie, Artan Abrashi.

Përmes telefonit ai tha se nuk ka informacione të detajuara, por theksoi se nga LVV-ja po bëhet përpjekje për të gjetur rrugë bashkëpunimi.

“Nuk ka ndonjë datë të caktuar, por më thanë që shumë shpejt. Ka tash disa ditë që ne jemi në gjendje gatishmërie, flas për deputetët e zgjedhur.”- tha Abrashi për Kallxo.com.

Gatishmëria e deputetëve të zgjedhur, sipas Abrashit, është për shkak të pritshmërive për të pasur diçka konkrete mes partive politike para se të mblidhen për të konstituuar Kuvendin.

Ai megjithatë shton se për të pasur diçka konkrete varet edhe nga zhvillimet në partitë politike tjera.

I pyetur se a është nevojë që sa më shpejtë të gjendet rruga e bashkëpunimit që jo vetëm të konstituohet Kuvendi e të zgjidhet Qeveria por edhe të ketë vendi president të ri, Abrashi fillimisht tha se nëse flitet për trajtë dëshirash, atëherë “sigurisht se është dashur”.

Duke folur rreth kësaj çështjeje, ai tha se ka angazhim të LVV-së për të gjetur një bashkëpunim me partitë tjera.

“Po patjetër, dhe është duke bërë përpjekje partia në këtë drejtim. Mirëpo ta shohim, po presim diçka konkrete.”- tha Abrashi.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në anën tjerër, duke folur për urgjencën e formimit të institucioneve ka thënë se seanca konstituive për formimin e institucioneve pritet të mbahet në fillim të muajit gusht.

“Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë. Dhe kjo është e rëndësishme edhe për deputetët që në seancën konstituive të jenë të gjithë, 120 deputetët, ashtu siç edhe thekson aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”- tha ajo më 17.07.2026.

Haxhiu tha se u ka dhënë kohë partive politike për takime para se të thërrasë seancën konstituive.

“E kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe të, që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme”- tha Haxhiu./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika