Sot u mbajt konferenca rajonale për rritjen e ndërgjegjësimit mbi nevojat e paplotësuara të kancerit të gjirit në Kosovë, organizuar nga organizata joqeveritare Renesansa në bashkëpunim me GoldMinds, me qëllim sensibilizimin e opinionit mbi gjendjen e prevalencës së kancerit të gjirit në Kosovë dhe propozimit të modaliteteve për adresimin e sfidave aktuale.
Në këtë konferencë morën pjesë Themeluesja e Fondacionit Jahjaga dhe ish-presidentja, Atifete Jahjaga, Kryetari i Shoqatës së Onkologëve, Arben Bislimi, Themeluesja dhe Drejtoresha e organizatës joqeveritare Renesansa, Violeta Pirana, Profesori dhe onkologu me renome botërore, CEO i ESO’s, Alberto Costa si dhe përfaqësuesit e vendeve të rajonit.
Njëra nga temat kryesore që u trajtua në konferencë është trajtimi efektiv dhe i përballueshëm si pjesë e planeve kombëtare të kontrollit të kancerit në mënyrë që çdo grua të ketë qasje në trajtim adekuat dhe mbështetje pavarësisht rrethanave, me ç’rast përfaqësuesit institucional shpalosën prioritetet qeverisëse në këtë drejtim. Kurse përfaqësuesit e rajonit ndanë përvojat e vendete të tyre në luftën për diagnostikim të hershëm dhe trajtim me kohë të kancerit të gjirit.





