Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në një konferencë për media ka folur për rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi, gjersa ka thënë nuk mund të flitet për nënshkrim të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa u nënshkruar marrëveshja bazike me aneks, pa u dorëzuar tek autoritetet e Kosovës, Milan Radoiçiq dhe pa u tërhequr letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq dërguar vendeve të Bashkimit Evropian se nuk respektojnë integritetin territorial të Kosovës.
Kurti tha para gazetarëve se pa plotësimin e kërkesave të mësipërme nuk e dinë se kush do ta nënshkruante draft-statutin.
“Pa e nënshkruar marrëveshjen bazike me aneks të zbatimit, pa e dorëzuar Milan Radoiçiqin autoriteteve të Kosovës dhe pa e tërhequr letrën e Brnabiqit ku thonë se nuk e respektojnë integritetin territorial të Kosovës në kundërshtim me marrëveshjen bazike nuk e di çfarë draft statuti mund të nënshkruaj ndokush, jo unë po ndokush”, tha ai.





