Policia shqiptare ka njoftuar se pas një kontrolli të imtësishëm të një shtetasi në pikën kufitare në Morinë i janë gjetur 61,900 euro të padeklaruara, të cilat i janë sekuestruar.“Gjatë kontrollit fizik ndaj pasagjerit të këtij automjeti, shtetasit Q.L., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 61 900 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Q. L., 32-vjeç, banues në Itali, për veprën penale – mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë.






