Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me UN-Habitat dhe Arcadis, organizoi punëtorinë hyrëse me akterët e sektorit të banimit, në kuadër të procesit për hartimin e Strategjisë së Banimit për Kosovën.
Sipas njoftimit të Ministrisë, në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, partnerë ndërkombëtarë, si dhe drejtorë dhe zyrtarë të departamenteve të planifikimit hapësinor dhe banimit nga ministria.
Gjatë fjalës së saj, ministrja në detyrë Fitore Pacolli, theksoi se sektori i banimit për shumë vite ka munguar në prioritetet zhvillimore të vendit, duke lënë shumë familje, veçanërisht të rinjtë dhe kategoritë në nevojë, pa qasje të lehtë në banim të përballueshëm dhe dinjitoz.
Siç bëhet e ditur ajo potencoi se Qeveria e Kosovës e ka vendosur banimin në mesin e prioriteteve shtetërore dhe se për herë të parë po ndërtohet një qasje serioze dhe afatgjatë për zhvillimin e politikave të qëndrueshme të banimit.
“Banimi nuk është privilegj, por e drejtë themelore. Synimi ynë është të ndërtojmë politika konkrete që u përgjigjen nevojave reale të qytetarëve, me më shumë banim social, mbështetje për çiftet e reja, standarde më të larta në ndërtim dhe zhvillim urban të planifikuar” – deklaroi Pacolli.
Sipas MMPH-së, punëtoria shënon fillimin e një procesi të rëndësishëm bashkëpunimi ndërinstitucional për identifikimin e sfidave dhe boshllëqeve në sektorin e banimit, me fokus në krijimin e politikave moderne, të qëndrueshme dhe të bazuara në interesin publik.
Në fund, thuhet se Pacolli falënderoi UN-Habitat dhe Arcadis për mbështetjen dhe partneritetin e vazhdueshëm në avancimin e politikave të banimit në Kosovë.