Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, të premten ka nënshkruar vendimin për miratimin e Planit të Menaxhimit për fshatin Zym, duke shënuar një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore dhe turizmit.
“Zymi i Hasit, një vend me përplot bukuri natyrore, traditë dhe trashëgimi të pasur kulturore, tashmë do të ketë një dokument strategjik që krijon kornizën e nevojshme për menaxhimin afatgjatë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone me vlera të veçanta” – shkruan MKRS.
Sipas Ministrisë, ky dokument është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës të zhvilluar në kuadër të projektit “Integrimi i Trashëgimisë Kulturore në Planifikimin Hapësinor”, i financuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe i zbatuar nga UN-Habitat Kosova, përmes Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë.
“Në këtë kuadër, Zymi i Hasit, së bashku me Karashëngjergjin dhe Bregdrin, trajtohen si një tërësi me vlera të veçanta, ku arkitektura vernakulare, peizazhi natyror dhe trashëgimia kulturore ndërthuren në mënyrë unike. Përmes këtij plani, synohet që kjo zonë të ruhet dhe të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, duke u kthyer në një shembull të mirë të integrimit të trashëgimisë kulturore në zhvillimin lokal dhe në një destinacion tërheqës për turizmin kulturor” – thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë vendim, ka reaguar edhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.
Sipas QRTK-së, ky plan vendos një kornizë të qartë për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone me vlera të veçanta.
“Ky është një hap lehtësues për zhvillimin e zonës dhe një mbështetje konkrete edhe për punën e QRTK Prizren në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore” – shkruan QRTK.