Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, ka thënë për KOHËN se informatën e parë për arrestimin e të dyshuarve e ka marrë nga familjari i një pacienti që sapo kishte dalë nga operacioni, e pas pak minutash është njoftuar edhe nga Njësiti i Krimeve Ekonomike i Policisë së Kosovës.
“Nuk ka pasur ankesa më herët, pasi janë arrestuar më ka thirrur mua pala, familjari, më ka thënë dy mjekë u arrestuan, unë e kam motrën që ka dalë nga operacioni, të lutem dërgoje dikë sepse mund t’i ndodhë diçka motrës sime. Kjo është informata e parë që e kam marrë. Pas pesë minutave më kanë thirrur prej Policisë, prej Njësitit të Krimeve Ekonomike dhe ata ma kanë dhënë të njëjtën informatë që i kemi arrestuar dy mjekë, tash është punë e juaj për ta organizuar kujdestarinë, pasi rasti ka ndodhur në kujdestari rreth orës 20:00 mbrëmë”, ka deklaruar ai.
Emini ka njoftuar se po pret organet e drejtësisë të vendosin në lidhje me rastin, në mënyrë që të ndërmerren masat nga ana e Spitalit.
“Në këtë rast, ata janë të dyshuar. Është bërë intervistimi i tyre, diku nga ora 23:00 ma kanë dhënë konfirmimin që ata janë ndaluar për 24 orë, do të konsultohem të martën edhe me drejtorin e administratës. Më herët si kemi vepruar – na vjen konfirmimi prej gjyqtarit të procedurës paraprake se çfarë vendosin. Nëse ata vendosin ta vazhdojnë paraburgimin, ne i marrim masat. Në bazë të ligjit më herët kemi pasur suspendim, nëse nuk gaboj suspendim me gjysmë page. Të martën, për të mos bërë ndonjë gabim, do të takohem me drejtorin e administratës që është jurist me profesion dhe ai do të më këshilloj se si të veproj tutje me rastin”, është shprehur ai.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini, ka njoftuar se do të kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarve.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurve, brenda afatit ligjor do të kërkojë masën e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Policia e Kosovës ka njoftuar të dielën një kirurg dhe një anesteziolog në Gjilan janë arrestuar nën dyshimin se kanë kërkuar ryshfet.
Sipas Policisë, dyshohet se anesteziologu kishte kërkuar 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, ndërsa kirurgu dyshohet se mori 330 euro, por kërkoi edhe 200 shtesë. Hetuesit arritën të siguronin dëshmi gjatë dorëzimit të parave te njëri i dyshuar.
Ata janë ndaluar për 48 orë./koha.net/