LAJME

Mitrovica e Veriut ndan parcelë për Policinë, dikur shfrytëzohej nga strukturat paralele

Mitrovica e Veriut ndan parcelë për Policinë, dikur shfrytëzohej nga strukturat paralele
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Dhjetor 2023, 14:37

Anëtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut të premten kanë miratuar propozimin për ndarjen e një parcele prej 27.400 metrash katrorë për Policinë, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ka konfirmuar kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin.

Ugljanin ka thënë për KOHËN se në atë hapësirë është ndërmarrja publike “Standard”, ndërmarrja publike e ujësjellësit, Autoriteti i Përkohshëm Komunal e salla e sporteve.

Këto institucione punojnë sipas sistemit serb.

Udhëheqësi i partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, e ka krahasuar këtë vendim të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut me “okupim” dhe ka paralajmëruar se do të ndjekë “të gjitha procedurat demokratike dhe ligjore për ta zhbërë këtë vendim të paligjshëm”.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut aktualisht përbëhet kryesisht nga këshilltarë nga komuniteti shqiptar, për shkak se serbët bojkotuan zgjedhjet lokale në veri që u mbajtën në prill. Po ashtu, kjo komunë me shumicë serbe udhëhiqet nga kryetari Erden Atiq, i cili vjen nga partia, Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheq me Qeverinë e Kosovës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika