Gabimi njerëzor është dyshimi kryesor që besohet të ketë shkaktuar aksidentin me autobusin e Maqedonisë së Veriut në një autostradë të Bullgarisë, ka deklaruar në Sofje, zëvendëskryeprokurori dhe drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar në Bullgari, Borislav Sarafov. Në vendin e aksidentit janë gjetur trupat e 44 personave, tetë kanë mbijetuar, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur.
Për ta zgjidhur misterin për udhëtarin e 52-të, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoni i ka lëshuar urdhër Sektorit për Punë të Brendshme që t’i ofrojë listat me pasagjerët që kanë qenë në autobusin e BESA Trans, që janë nisur nga Republika e Maqedonisë së Veriut më 18.11.2021, dhe listat e udhëtarëve që kanë hyrë në vend më 22.11.2021.
Sigurimi i listave nga pikat kufitare do të bëhet me qëllim që të bëhet krahasimi i udhëtarëve, pasi sipas deklaratës së prokurorit Sarafov, nga autobusi i djegur mungon një pasagjer.





