Komisioni për Buxhet në mbledhjen e sotme ka miratuar projektligjin për shërbimet e pagesave, raporton Ekonomia Online.
Për këtë projektligj në komision raportoi ministri i Financave, Hekuran Murati i cili tha se me këtë projektligj ulen kostot e shërbimeve të pagesave bankare.
“Ky projektligj synon ngritjen e nivelit të sigurisë së shërbimeve të pagesave, nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit, përmirësimin e mbrojtjes së përdoruesve të shërbimeve, si dhe uljen e kostove për shërbimet e pagesave të ofruara brenda vendit dhe për transferet ndërkufitare. Ky projektligj përafron kornizën ligjore dhe rregullative me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian në fushën e pagesave. Si rezultat, ai ofron mundësinë për përfshirjen e ofruesve të shërbimeve të pagesave (banka dhe jo-banka) në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, e njohur si SEPA (Single Euro Payments Area). Në këtë aspekt, projektligji paraqet bazën kryesore për plotësimin e kritereve për aplikim dhe pranim të vendit tonë në SEPA. Projektligji ofron një kornizë të përshtatshme me specifika teknike për shërbimet e pagesave dhe aktivitetet e ndërlidhura brenda Kosovës, duke u harmonizuar me direktivat përkatëse të BE-së dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Përmes këtij projektligji, synohet transpozimi i plotë i direktivave relevante”, tha Murati.





