LAJME

Miratohet Projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

Miratohet Projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Prill 2026, 11:49

Me 64 vota për Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Kritika për Projektligjin ka shprehur deputetja PDK-së Blerta Deliu-Koda.

Ajo ka thënë se Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se ky projektligj rrezikon paranë publike. “Është e çuditshme si po mundoheni ta eskivoni … Është e padrejtë forma si neglizhoni amendamentet e deputetëve dhe se si nuk i respektoni kërkesat e BE-së që kërkon ruajtje të transparencës dhe llogaridhënës dhe parasë publike”, është shprehur Deliu-Koda.

Asaj i është përgjigjur kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se është Kuvendi ai që përfaqëson interesat e qytetarëve dhe është përgjegjës për të vlerësuar dhe vendosur për këtë.

“Ne i respektojmë partnerët tanë edhe Zyrën e BE-së në këtë rast, por nuk mund ta marrë më tepër parasysh një letër të Zyrës së BE-së, sesa vullnetin e qytetarëve të shprehur në Kuvend për mua kjo është e rëndësishme. E kam takuar përfaqësuesen e BE-së, i kam thënë nuk jemi në rrethana normale sepse nëse ky Kuvend nuk e zgjedh deri më 28 prill presidentin me automatizëm, shpërndahet. Paramendoni kur Kosova ka marrë përgjegjësi t’i organizojë dhe ne jemi shumë vonë”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ju ka kërkuar deputetëve, siç ka thënë të veprojnë me përgjegjësitë që i kanë.

“Partnerët janë partnerë por vendimin e merr ky Kuvend. Nëse dikush do që Kosova të dështojë në organizim të Lojërave Mesdhetare shumë gabim e ka. Ose ta zgjedhim presidentin dhe të ecim me çështje të tjera pa nguti”, ka theksuar Haxhiu.

Deliu-Kodra ka thënë se PDK-ja nuk është kundër zgjedhjeve.

“Partia Demokratike nuk është kundër lojërave. Ngutia që të kalohen ligje duke shkelur rregulla e duke përmendur ju sot afatin për presidentin kjo nuk do të duhej t’i shkojë për shtati Kuvendit”, ka theksuar Deliu-Kodra.

Asaj i është përgjigjur sërish Haxhiu.

“Ju ftoj që të bëheni zëdhënës të qytetarëve dhe jo zëdhënës të Zyrës së BE-së sepse ata i kanë zëdhënësit e tyre”, ka theksuar Haxhiu.

Kuvendi ka miratuar edhe Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika