Presidenca Hungareze e Bashkimit Evropian ka njoftuar se janë aprovuar “agjendat e reformave” për Kosovën dhe katër shtete tjera të BE-së, që janë kusht për përfitime nga paketa 6 miliardëshe e BE-së nga “Plani i rritjes” në Ballkanin Perendimor. Këtë agjendë e ka miratuar në mbledhjen e saj të mërkurën edhe Qeveria e Kosovës.
I vetmi shtet për të cilin BE nuk e ka miratuar “agjendën e reformave” është Bosnja e Hercegovina e cila nuk e ka dorëzuar të kompletuar në Bruksel planin e saj. Por edhe ky shtet i rajonit mund të përfshihet në këtë paketë sapo të dorëzojë planin i cili do të përmban të gjitha rekomandimet e Bashkimit Evropian.
Nga 6 miliardë euro sa është paketa e plotë për gjashtë vendet e rajonit, Kosovës do t’i takojnë rreth 882 milionë euro, që është shuma më e madhe për kokë banori. Kjo pasi Kosova ka bruto prodhimin vendor më të voglin në rajon e ky ka qenë ndër kriteret për caktimin e shumës.
Pasi në Komisionin e IPA-s është miratuar nga vendet anëtare paketa me pesë “agjenda të reformave” Komisioni Evropian duhet të miratojë “aktin e implementimit” dhe kjo pritet të ndodhë më 16 tetor. Pas kësaj topi do t’u kalojë përsëri vendeve që përfitojnë nga kjo paketë. Ato duhet të nënshkruajnë me BE-në marrëveshjet të cilat duhet edhe të ratifikohen në Kuvend./koha.net/