Gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë të Kosovës është miratuar kërkesa e Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë të 24 korrikut 2024, që ka të bëjë me themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se njohja dhe verifikimi i statusit të këtyre personave mbetet proces me rëndësi të veçantë institucionale e shoqërore, “në funksion të drejtësisë, dinjitetit dhe mbështetjes për të mbijetuarit”. Ai bëri të ditur se është propozuar ndryshimi i përbërjes së komisionit përmes emërtimit të përfaqësuesve të rinj nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.





