Qeveria në Shqipëri miratoi sot modelin e uniformave ushtarake, gradave, simboleve, stemave e flamujve dekorativë të strukturave dhe shenjave të tjera dalluese të uniformës ushtarake, që mbajnë Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Sipas vendimit, modelet e miratuara me këtë vendim aplikohen, si më poshtë: brenda vitit 2022 uniforma dimërore dhe verore ceremoniale e Orkestrës Frymore dhe e Truprojës së Nderit të Forcave të Armatosura, stemat dhe flamujt dekorativë të strukturave të Forcave të Armatosura; brenda vitit 2025 uniforma e stërvitjes; brenda vitit 2027 uniforma e ceremonialit dhe asaj të punës.
Vendimi nr.694, datë 21 nëntor 2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e modelit të uniformave ushtarake, gradave, simboleve, flamujve dhe shenjave të tjera dalluese të uniformës ushtarake, që mbajnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.
Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./Atsh