Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim që të realizojë një marrëveshje me Kosovën, marrëveshje kjo që do të nënshkruhet ditën e premte ndërmjet dy qeverive të të dyja shteteve ku vetëm me një aplikim të thjeshtë kosovarët mund të marrin leje-qëndrim në Shqipëri.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se kjo do të jetë një mundësi e mirë për kosovarët dhe shqiptarët pasi mund të punojnë në shtetet e njëri-tjetrit.
“Është për shtetasit e dy anëve të kufirit si për ata të Shqipërisë si për ata të Kosovës shumë shpejt me vendimin e marrë nga qeveria e Kosovës dhe qeveria e Shqipërisë shtetasit e Shqipërisë që punojnë në Shqipëri nuk do të kenë nevojë për leje qëndrimi në territorin e Kosovës nëse ata kanë një letër pune, e njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri, do të ketë një unifikim praktikash që nuk ka rëndësi i kujt shteti je brenda këtij kombi, i Shqipërisë apo i Kosovës, ti mund të punosh mund të jetosh për një periudhë pesë vjeçare, si në Prishtinë, Tiranë, Sarandë, Gjilan e tjera dhe mbas pesë vjetësh merr prapë një leje tjetër qëndrimi të përhershme. Ky është një lajm shumë i mirë që ka të bëjë me lirshmërinë e lëvizjes të qytetarëve, me mundësinë e punës dhe kontributet e tyre në rritjen ekonomike si të Shqipërisë edhe të Kosovës”, ka thënë ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, për Info Magazine.





