Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar një vendim të ri që rregullon çmimet dhe vendos masa mbrojtëse për produktet e naftës, të përdorshme në transport. Vendimi ka për qëllim të trajtojë variacionet e çmimeve të produkteve të naftës dhe të sigurojë mbrojtjen e konsumatorëve në tregun vendor.
Në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), bëhet e ditur se ky vendim është pasojë e mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, e cila ka evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh reflektohen në rritje të çmimeve të shitjes, por jo gjithmonë ndodh një rënie e ngjashme kur çmimet furnizuese bien.





