Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, takoi të martën përfaqësuesit e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren.
Sipas ministres Kusari-Lila, diskutimi u fokusua në zhvillimin e ekosistemit të inovacionit dhe rolin strategjik të ITP-së.
Ajo shtoi se diskutuan edhe për forcimin e bashkëpunimit mes shtetit, sektorit privat dhe akademisë, si dhe për avancimin e politikave dhe mekanizmave financiarë që mbështesin inovacionin.
“U theksua rëndësia e ITP-së si një hub qendror për zhvillimin e teknologjisë, kërkim-zhvillimit dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë. Po ashtu, u trajtua lidhja mes arsimit dhe tregut të punës përmes modelit Dual VET dhe nevoja për më shumë fokus në STEM dhe digjitalizim” – njofton Kusari-Lila.
Në fund, ministrja theksoi se do të vazhdojnë të punojnë për fuqizimin e inovacionit dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë si, teknologjitë e gjelbra dhe industria e qëndrueshme.