Ministrja e Drejtësisë ka njoftuar se sot, nën organizimin e Ministrisë së Drejtësisë, u është mbajtur takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e koncept-dokumentit për procesin e vetingut.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shprehu falënderimet për pjesëmarrjen e anëtarëve të Grupit Punues, duke uruar njëkohësisht që bashkërisht të jetësohen përpjekjet që ky proces të realizohet në mënyrë të suksesshme, përkundër sfidave që ka, dhe rrjedhimisht të thellohet besimi i qytetarëve tek institucionet e drejtësisë.
Ministrja Haxhiu, potencoi se gjyqësori është komponentë e rëndësishme e sundimit të ligjit të çdo shteti, dhe se pamundësia e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të veprojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve, shpie tek etablimi i kulturës së mosndëshkimit, që shtyp zërin e qytetarëve. E kjo është dukuri që ne, si Qeveri e Republikës së Kosovës nuk mund të lejojmë të ndodhë.
“Fatkeqësisht, besimi i publikut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial nuk është dëshmuar të jetë në nivelin e pritshmërive. Kjo nuk rëndon vetëm sistemin gjyqësor e prokurorial, por edhe vetë Qeverinë e Republikës së Kosovës e cila është e përkushtuar, me tërë fuqinë e saj, ndaj realizimit të plotë të të drejtave të qytetarëve, ashtu si u janë garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës”, citohet të ketë thënë ministrja Haxhiu.





