Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, që të marrë hapa për të adresuar çështjen e heqjes së kollares së Jakup Krasniqit në seancën gjyqësore të datës 08.07.2024.
Sipas një letre (të publikuar nga rtklive) drejtuar kryetares së Gjykatës Speciale, Haxhiu e ka cilësuar këtë veprim ndaj Krasniqit si një akt absurd.
“Kërkesa për heqjen e kollares është një akt absurd pasiqë çdo individ, pavarësisht nga statusi i tij, ka të drejtën për një trajtim të respektuar dhe dinjitoz në gjykatë”- ka shkruar Haxhiu.
Ministrja vlerëson se ky veprim përbën një ndërhyrje të panevojshme dhe të pajustifikueshme në integritetin personal dhe dinjitetin e Jakup Krasniqit.
“Përmes kësaj letre, ju shkruaj lidhur me situatën e fundit që ka ndodhur në seancën gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas informatave që kemi pranuar, para se z. Jakup Krasniqi të hynte në sallën ku mbahen seancat gjyqësore, iu është larguar kollarja që mbante veshur, pa asnjë arsye dhe pa asnjë justifikim. Madje kur kjo është ngritur si shqetësim nga avokatja, e njëjta ka marrë përgjigjen nga gjyqtari Charles Smith se ai nuk ka informacione dhe që do të interesohet për këtë. Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të thellë dhe indinjatë në opinionin publik të Kosovës.”- shkruhet ndër të tjera në letrën e ministrs së Drejtësisë.
Në seancën e datës 08.07.2024 të Dhomave të Specializuara në Hagë, Jakup Krasniqit iu hoq kravata me simbole kombëtare shqiptare para se të futej në sallën e gjyqit, ku po mbahej seanca.
Jakup Krasniqi bashkë me ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin e Kadri Veselin, po gjykohen në Gjykatën Speciale për krime të luftës dhe për krime kundër njerëzimit që pretendohet se janë kryer gjatë kohës së luftës në Kosovë.