Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu mbajtën konferencë për media, transmeton Reporteri.net.
Hajdari, ka konfirmuar se katër kompani që merren me derivate të naftës, u është revokuar leja.
Ajo tha se Ministria që drejton është bazuar në fakte të cilat i ka konstatuar edhe Dogana.
“Ne si ministri u kemi revokuar dhe pezulluar 4 subjekteve lejet për importin e lëndës së parë, deponimin e lëndës së parë dhe produktit final”, tha ajo.
Hajdari ka njoftuar se Dogana e Kosovës ka kryer analiza dhe kontrolle te katër subjektet që merren me përpunimin e produkteve të naftës.
“Aty ka gjetur parregullsi të shumta që pengojnë mbikqyrjen dhe rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetin të shtetit”, është shprehur ajo.
Më tej, ministrja Hajdari theksoi se Dogana ka pezulluar dhe nuk ja ka vazhduar autorizimet katër subjekteve.
“Disa nga subjektet u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicensuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara”, ka thënë ajo.
Edhe Llugaliu e ka konfirmuar këtë në konferencën për media.