Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe e Industrisë, Rozeta Hajdari, është intervistuar sërish në Prokurorinë Speciale të Kosovës në lidhje me hetimet për rezervat shtetërore.
Pas intervistimit, Hajdari ka thënë se ministria kishte vepruar në përputhje me ligjin në procesin e furnizimit me rezerva shtetërore në fillim të vitit 2022, në një periudhë të ndjeshme për vendin.
“Ministria ka bërë blerjen e rezervave shtetërore në kohën kur ishim të pambrojtur, në shkurt 2022 dhe mars 2022. Për këtë proces jetik tani pyetem nga Prokuroria Speciale, por një pyetje vjen se a është ky proces i ligjshëm dhe si prokuroria hyri në ministri për të marrë dokumente të klasifikuara si sekret të rezervave shtetërore. Asnjë person nuk mund të ketë qasje në rezervën klasifikuar sekret pa një procedurë të qartë ligjore sipas udhëzime të AKI-së dhe Agjencisë për mbrojtje të klasifikuara. Ne si Ministri i kemi klasifikuar vendet sekret sipas Ligjit për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara sipas nenit të rezervave shtetërore, por në realitet Prokuroria Speciale bëri një gabim si një hap të pamenduar mirë duke dërguar dy policë hetues pa certifikatë sigurie dhe duke marrë dokumentet brenda një orë në ministri”, u ka thënë ajo mediave.





