Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti konfirmoi se procesi i vaksinimit në Kosovë nis zyrtarisht nesër, teksa theksoi se pasditen e sotme, në mënyrë simbolike mund të kryhen disa vaksinime.
Hoti shpjegoi se të parët që do të vaksinohen do të jetë personeli shëndetësor, të cilët duke përfshirë sektorin privat janë rreth 15 mijë, e më tej do të vijohet me personelin në qendra e të moshuarve dhe të moshuarit mbi 85 vjeç.
I pyetur nëse Kosova është e hapur edhe për vaksina të tjera si ajo kineze dhe ruse, sikundër ka bërë edhe Shqipëria, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë tha se tani për tani orientimi ka qenë që vaksnimi të bëhet me vaksina të miratuara nga EMA, por në të ardhmen mund të diskutohet edhe për vaksina të tjera, me përjashtim të vaksinave të ardhura nga Rusia dhe Serbia.
“Pjesën më të madhe të vaksinave e presim nga Komisioni Evropian, përmes COVAX, por ka edhe mundësi të tjera. Kemi pasur një marrëveshje në parim me Pfizer , por nuk përjashtohet të përfshihen edhe prodhues të tjerë. Tani për tani orientimi ka qenë që vaksinimi të bëhet me vaksina të miratuara nga EMA, por në të ardhmen mund të diskutohet edhe për vaksina të tjera. Nuk priten vaksina të ardhura nga Serbia dhe Rusia”, tha Hoti për Euronews.al.
Ai e shpjegoi rritjen e numrit të rasteve dhe fataliteteve nga COVID ditëve të fundit në Kosovë me fushatën zgjedhore të muajit shkurt, por edhe prirjen e njëjtë që po përjetojnë edhe vende të tjera, teksa nënvijëzoi se për momentin vendi ka kapacitete të mjaftueshme spitalore.