Në Kosovë deri më sot janë administruar mbi 665 mijë vaksina kundër COVID-it, prej tyre 438 mijë e 895 qytetarë kanë marrë dozën e parë, ndërkaq 227 mijë e 581 janë imunizuar me dozën e dytë.
Por se si qëndrojnë këto shifra për gratë shtatzëna, Ministria e Shëndetësisë për Klankosova.tv, ka theksuar se bazuar në anamnezë, që u ofrohet qytetareve (femrave) ta plotësojnë në bashkëpunim me mjekun para vaksinimit, se a janë shtatzënë apo gjidhënëse, deri në fund të javës që shkoi janë vaksinuar 744 shtatzëna dhe gra gjidhënëse dhe gjithsej për këto kategori janë administruar 930 vaksina, ku disa prej i kanë marrë të dyja dozat.
“Këto të dhëna janë pas datës 7 korrik kur anamneza ka filluar të plotësohet në mënyrë digjitale, që do të thotë se numri tyrei vaksinimit te kjo kategori është më i madh, nëse llogaritet që raste të vaksinimit nga kjo kategori ka pasur edhe në periudhën 29 mars – 7 korrik 2021”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë për Klankosova.tv
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë vaksinimi i shtatzënave dhe grave gjidhënëse është përcjellë me një lloj ngurrimi në shumë vende, por të dhënat, sipas kësaj ministrie, po tregojnë se ka filluar të zbutet dhe numri i shtatzënave dhe grave gjidhënëse po vjen duke u rritur.
“Nuk është raportuar për probleme për te vaksinuarat nga kjo kategori, përkundrazi, ka mjaft raste kur vaksinimi i shtatzënave ka krijuar mbrojtje për të porsalindurit dhe gjithashtu imunitet edhe te foshnjat që ushqehen me qumësht të gjirit të nënës”.