Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka publikuar një njoftim për qytetarët lidhur me veprimet që duhet të ndërmerren në rast të një tërmeti, duke apeluar për qetësi dhe kujdes maksimal.
Sipas Ministrisë, gjatë lëkundjeve sizmike qytetarët duhet të ruajnë qetësinë, të futen nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës, të mbrojnë kokën dhe qafën me duar, si dhe të qëndrojnë larg dritareve, rafteve dhe objekteve që mund të bien. Po ashtu, rekomandohet që të mos përdoret ashensori.
Për personat që ndodhen jashtë, Ministria këshillon të qëndrojnë larg ndërtesave, shtyllave elektrike dhe pemëve, ndërsa për ata që janë duke vozitur, të ndalojnë në një vend të sigurt dhe të qëndrojnë brenda automjetit.
Pas përfundimit të tërmetit, qytetarët ftohen të dalin me kujdes nga objektet vetëm nëse ato janë të dëmtuara, të kontrollojnë për persona të lënduar dhe të njoftojnë shërbimet emergjente në rast nevoje. Gjithashtu, theksohet rëndësia e ndjekjes së njoftimeve zyrtare nga institucionet dhe përgatitja për lëkundje pasuese.
Ministria vlerëson se siguria fillon me vetëdije dhe veprim të shpejtë, duke theksuar se respektimi i këtyre udhëzimeve ndihmon në zvogëlimin e rrezikut për qytetarët dhe familjet e tyre.





