Ministria e Financave ka nënshkruar marrëveshje granti në vlerë prej 5 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), për financim shtesë të Projektit ‘’Zhvillimi i sektorit të energjisë Faza VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit’’, i cili do të mbështesë realizimin e një sërë projekteve për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë.
Projekti zbatohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe mbështet investimet që synojnë fuqizimin e infrastrukturës së transmisionit, rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike, si dhe avancimin e integrimit të tregut energjetik. Investimi i mbështetur përmes këtij financimi paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të sistemit energjetik dhe modernizimin e mëtejshëm të rrjetit të transmisionit në vend.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, vlerësoi angazhimin e KOSTT-it në zbatimin e projektit dhe rezultatet e arritura deri më tani, duke theksuar se ky financim shtesë i siguruar nga Qeveria Gjermane përmes KfW do të mbështesë realizimin e investimeve prioritare dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik.





