Në njoftimin e ministrisë thuhet se përkundër afatit shtesë, disa organizata buxhetore nuk e kanë bërë ende përditësimin e listave në mënyrë që të bëhet kompensimi i saktë për orët dhe ditët e punuara.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton opinionin publik se sot ka ekzekutuar pagat edhe për pjesën e mbetur të organizatave buxhetore. Përkundër afatit shtesë, disa organizata buxhetore as deri në ditën e sotme nuk kanë bërë përditësimin e listave për të reflektuar kompensimin e saktë për orët dhe ditët e punuara, gjë që ka ndikuar në vonesë të ekzekutimit të pagave edhe për ata që kanë punuar, gjë për të cilën Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve shpreh keqardhje të thellë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Për organizatat buxhetore që nuk e kanë bërë përditësimin e listave dhe ku ka indikacione që ka pasur greva, Ministri i Financave thuhet se do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për Greva.
“Për këtë, Ministria do të njoftojë organet përkatëse, përfshirë edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit që të kryejë një auditim të veçantë për këtë çështje, ku përgjegjësia e çdo shkeljeje ligjore bie mbi Zyrtarët Kryesor Administrativ të organizatave buxhetore dhe stafin përkatës”, thuhet në njoftim.
Si pasojë e grevës së përgjithshme të punonjësve të arsimit dhe të administratës publike të cilët po kërkojnë shtesat prej 100 eurove deri në miratimin e Ligjit për Pagat, është vonuar ekzekutimi i pagave për punëtorët për shkak të mospërditësimit të listave të pagave të punëtorëve që i janë bashkuar grevës.