LAJME

LDK-ja lëshon sallën, ndërpritet seanca konstituive

LDK-ja lëshon sallën, ndërpritet seanca konstituive
TV Prizreni
TV Prizreni
11 Shtator 2026, 13:08

Për të dytën herë të premten është ndërprerë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit. Vazhdimi i saj është caktuar për të dielën në orën 10:00. Herën e dytë seanca është ndërprerë pasi që LDK-ja e ka lëshuar sallën pasi ka vlerësuar se s’mund të vazhdohet seanca pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së, që është partia e dytë.

Deputetët e LDK-së e kanë lëshuar sallën pasi kanë kërkuar që fillimisht të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga PDK-së. 

Sipas deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, është e padrejtë që të hidhet në votim kandidati i partisë së tretë pa u zgjidhur ai i partisë së dytë. 

“Bëjmë thirrje që të shterohen të gjitha mundësitë për diskutim. Nuk kemi të drejtë ta vazhdojmë seancën përderisa nënkryetari i partisë së dytë nuk është zgjidhur. Duhet të respektohet procedura. Kalimi te grupi i tretë nuk kemi të drejtë. Nuk marrim pjesë në votim as nuk iu rekomandojmë ta hidhni në votim”, ka thënë ajo.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu këmbënguli që të vazhdohet me propozimin e LDK-së, duke konsideruar se me mospjesëmarrjen e saj, PDK-ja po heq dorë nga e drejta kushtetuese për propozimin e nënkryetarit të Kuvendit.

Në seancën e mëhershme sot, PDK-ja e lëshoi sallën pasi VV-ja nuk ia votoi Vlora Çitakun për nënkryetare, pavarësisht se PDK-ja e votoi Ardian Golën e VV-së. 

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka konsideruar se PDK-ja nuk po do ta ushtrojë të drejtën për propozim të nënkryetarit të Kuvendit pasi deputetët e kësaj partie nuk morën pjesë në vazhdimin e seancës konstituive që u thirr për në ora 14:00.. 

Haxhiu bëri të ditur se ka pasur tentativa për një takim me përfaqësuesit e PDK-së, por kanë refuzuar të vijnë në takim. 

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas ndërprerjes së seancës më herët, deklaroi se nuk kanë arsye të marrin më pjesë në asnjë seancë. Ky vendim erdhi pasi VV-ja nuk ia votoi Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit, pavarësisht se PDK-ja ia votoi Ardian Golen e VV-së. /KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika