LAJME

Ministria e Ekonomisë investon 315 mijë euro për përmirësimin e furnizimit me ujë në Malishevë

Ministria e Ekonomisë investon 315 mijë euro për përmirësimin e furnizimit me ujë në Malishevë
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Qershor 2026, 16:19

Ministria e Ekonomisë do të financojë ndërtimin e një rezervuari të ri të ujit dhe modernizimin e stacionit të pompimit në njësinë e Malishevës, investim që synon përmirësimin e furnizimit me ujë për qytetin dhe fshatrat përreth.

Marrëveshja për realizimin e projektit u nënshkrua të martën nga kryeshefi ekzekutiv i KRU “Hidroregjioni Jugor”, Bekim Gashi dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Projekti parasheh ndërtimin e një rezervuari të ri me kapacitet prej 1,000 metra kub ujë, duke e rritur kapacitetin total akumulues nga 720 metra kub sa është aktualisht, në 1,720 metra kub. Gjithashtu, do të modernizohet nënstacioni i pompimit në fshatin Banjë, ku do të instalohen tre pompa të reja me fuqi prej 75 kilovatësh secila.

Vlera e projektit arrin në 315 mijë euro dhe do të mbulohet tërësisht nga Ministria e Ekonomisë. Sipas përgjegjësve, investimi do të ndikojë në stabilizimin e furnizimit me ujë për qytetin e Malishevës dhe fshatrat që furnizohen nga burimi i ujit në Banjë, si dhe do të rrisë kapacitetin e pompimit duke ulur njëkohësisht konsumin e energjisë elektrike.

Ky investim është pjesë e fazës së parë të studimit të fizibilitetit për furnizimin me ujë të Komunës së Malishevës. Projekti parashihet të realizohet në katër faza dhe synon të ofrojë një zgjidhje afatgjatë për furnizimin me ujë të kësaj komune.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika