Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se aktualisht nuk është duke shërbyer si rrugë përmes së cilës familjarët mund t’ju dërgojnë pako me gjësende ish-krerëve të UÇK’së në Hagë. Tash e tutje, këtë gjë do ta bëjë Ministria e Drejtësisë.
Gazeta Express ka mësuar se dërgimi i pakove me gjësende për krerët e UÇK’së – të akuzuar në Hagë, do bëhet përmes Ministrisë së Drejtësisë.
Gjithashtu këto burime kanë bërë të ditur se zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë dhe familjarët e të akuzuarve do të takohen të hënën.
Më herët gjatë ditës, Gresë Krasniqi, vajza e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, është ankuar se nuk po mund t’i dërgojnë ish-kryeparlamentarit në Hagë pako me gjëra esenciale.
“Pakot me gjëra esenciale deri tash i kem dërgu në dhomat e paraburgimit në Hagë, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Donika Shwarz, paska marr vendim që ato pako mos me u dërgu permes Ministrisë së saj. Ajo duhet me i lënë anash ose inatet personale ose ministrinë që aq dobët e udhëheq ose të përgjigjet për veprimet e saj! Krejt dhe Zhdrejt!”, ka shkruar Gresë Krasniqi në një postim në Facebook.
Në një përgjigje për Gazetën Express, MPJD-ja ka thënë se ka skaduar kontrata me operatorin që e kryente procesin e dërgimit të pakove për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.
“Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka skaduar kontrata me operatorin për dërgimin e pakove jashtë vendit. Arsyet janë ligjore dhe lidhen me të kaluarën”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se po punon për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për këtë çështje.
“MPJD-ja është duke punuar në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë”, thuhet në përgjigje.