PRIZRENI ME RAJON

Ministria e Bujqësisë u rekomandon fermerëve mbjelljen e grurit dimëror nga 5 deri më 30 tetor

Ministria e Bujqësisë u rekomandon fermerëve mbjelljen e grurit dimëror nga 5 deri më 30 tetor
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Tetor 2026, 10:05

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural u ka bërë thirrje fermerëve që t’i kushtojnë rëndësi përgatitjes së tokës, përzgjedhjes së farës dhe plehërimit të duhur gjatë mbjelljes së grurit dimëror, me qëllim të rritjes së rendimenteve dhe përmirësimit të cilësisë së prodhimit.

Me afrimin e afatit optimal për mbjelljen e grurit dimëror, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka publikuar rekomandime për fermerët, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të praktikave të duhura bujqësore gjatë gjithë procesit të kultivimit.

Sipas Ministrisë, periudha më e përshtatshme për mbjelljen e grurit është nga 5 deri më 30 tetor, ndërsa mbjellja mund të vazhdojë edhe pas kësaj periudhe, nëse kushtet atmosferike janë të favorshme.

Në rekomandimet e saj, Ministria thekson se rendimentet e ulëta të grurit në vend shpesh lidhen me moszbatimin e masave të duhura agroteknike, përdorimin e farërave jo cilësore dhe plehërimin e pakontrolluar, pa u përshtatur me nevojat e bimës gjatë fazave të zhvillimit.

Përgatitja e tokës dhe përzgjedhja e farës

Ministria vlerëson se kjo periudhë është e përshtatshme për përgatitjen e tokës, pasi reshjet e fundit kanë ndikuar në përmirësimin e lagështisë pas periudhës së thatë verore. Lëvrimi në kohë dhe në mënyrë cilësore krijon kushte më të mira për mbirjen e farës dhe zhvillimin e bimëve.

Fermerëve u rekomandohet të përdorin farë të certifikuar dhe të trajtuar kundër sëmundjeve, si dhe të konsultohen me këshilltarët bujqësorë për përzgjedhjen e varieteteve të përshtatshme për kushtet agroekologjike të Kosovës.

Sipas Ministrisë, mbjellja me makina bujqësore është mënyra më e përshtatshme, pasi mundëson shpërndarje të njëtrajtshme të farës dhe mbjellje në thellësi të njëjtë. Ndërkaq, mbjellja me dorë nuk rekomandohet, për shkak të shpërndarjes së pabarabartë të farës dhe ndikimit të mundshëm në rendiment.

Plehërimi dhe qarkullimi bimor

Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe plehërimit, për të cilin rekomandohen analizat e tokës, në mënyrë që sasitë e plehrave të përcaktohen sipas nevojave të saj.

Sipas rekomandimeve të Ministrisë, për një hektar grurë nevojiten mesatarisht 120–160 kilogramë azot (N), 80–100 kilogramë fosfor (P₂O₅) dhe 60–80 kilogramë kalium (K₂O). Sasitë mund të ndryshojnë në varësi të llojit të tokës dhe kulturës së mbjellë paraprakisht.

Fosfori dhe kaliumi rekomandohen të jepen para ose gjatë mbjelljes, ndërsa azoti të ndahet në dy deri në tri doza gjatë periudhës së vegjetacionit.

Ministria këshillon gjithashtu që gruri të mbillet pas kulturave si soja, bizelet, jonxha, misri dhe perimet, duke shmangur kultivimin e tij për disa vite radhazi në të njëjtën parcelë.

Kontrolli i barojave dhe monitorimi i parcelave

Ndër masat e tjera të rekomanduara janë kontrolli i barojave të këqija para mbjelljes, ngjeshja e lehtë e tokës pas mbjelljes për të siguruar kontakt të mirë ndërmjet farës dhe dheut, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i parcelave për shfaqjen e sëmundjeve dhe dëmtuesve gjatë dimrit dhe pranverës.

Ministria e Bujqësisë u bën thirrje fermerëve që të zbatojnë teknologjitë moderne të kultivimit dhe të ndjekin kalendarin agronomik gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të bimës, me qëllim të rritjes së prodhimit dhe cilësisë së grurit.

Për këshilla profesionale dhe informata shtesë, fermerët mund t’u drejtohen këshilltarëve bujqësorë në komunat e tyre, përmes Qendrave Informative Këshilluese Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ose të kontaktojnë Departamentin e Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike të Ministrisë së Bujqësisë në numrin 038 200 38 426.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika