Ministria e Bujqësisë njoftoi se sipërfaqja e drithërave të mbjella në Kosovës është 33.04% më shumë se vitin e kaluar, derisa totali është 91,436.11 hektarë, bazuar në të dhënat e marra nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.
Siç njofton Ministria të shtunën, për misrin, rritja e sipërfaqeve të mbjella është 90.93 për qind, apo 36,901.66 hektarësh.
“Nga të dhënat që posedojmë deri më tani si Institucion, teksa procesi i korrje-shirjeve është në vazhdimësi dhe akoma nuk është finalizuar, vetëm me grurë janë rreth 66,159.52 ha të mbjella. Kjo shifër përfshinë edhe sipërfaqet nën dy hektarë ndërsa mbi dy hektarë numri i sipërfaqeve të mbjella është 51,282.96 hektarë me një rritje prej 15.55% krahasuar me vitin e kaluar, ku sipërfaqet e mbjella me grurë mbi dy hektarë kanë qenë rreth 44,381.83 hektarë”, thuhet në njoftim.
MBPZHR-ja shkruan se nga terreni raportohet që rendimenti në shumicën e vendeve e tejkalon mesataren prej 4000 kilogramë për hektarë.
“Në baza javore pranojmë informata prej Drejtorive Komunale të Bujqësisë, në bazë të të cilave edhe përditësohet Raporti i të dhënave rreth Korrje-Shirjeve”, thuhet tutje në njoftim./KSP