Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç, ka folur në lidhje tërheqjen e ushtrisë serbe nga kufiri me Kosovën.
Vuçeviç ka deklaruar këtë të enjte se reduktimi i numrit të ushtarëve nga 8.350 në më pak se 4.500, do të thotë “çangazhim dhe jo tërheqje e një pjese të njësive”.
“Ata po kthehen në garnizonet e tyre, në kazermat e tyre, në aktivitetet e tyre të rregullta,” ka thënë Vuçeviç për Televizioni Prva.
Ai shtoi se ushtria serbe dhe Ministria e Mbrojtjes, së bashku me inteligjencën ushtarake dhe Agjencinë e Sigurisë Ushtarake, janë duke monitoruar gjithçka që po ndodh në Kosovë.
Shefi i Mbrojtjes në Serbi, mohoi që strukturat e ushtrisë të kishin ndihmuar Milan Radoiçiçin për sigurimin e armëve të gjetura në manastirin e Banjskës.
Vendosja e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën ka nisur pas sulmit një grupi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator.
Pas apelit të fortë të ndërkombëtarëve dhe ultimatumit të SHBA-së dhe Gjermanisë, Serbia vendosi tërheqjen e trupave nga kufiri me Kosovën.
Më 3 tetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Serbia ka “filluar tërheqjen” e forcave të saj nga kufiri me Kosovën dhe se ky është “lajm i mirë”.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby ka thënë se diçka e tillë “do të ndihmojë në uljen e tensioneve, por jo në eliminimin e tyre”.