Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, Faton Peci, javën e kaluar vizitoi kompaninë “Arti Fruit” në Prizren, e cila njihet për eksportimin e lëngjeve, çajrave dhe reçeleve të ndryshme si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij.
Gjatë vizitës së tij, u shënua dita ndërkombetarë e aronisë, frut ky që sipas tij ka vlera të jashtëzakonshme për shëndetin dhe ekonominë e vendit tonë.
Ministri Peci, tutje, ka thënë se si ministri do të vazhdojnë mbështetjen për prodhuesit vendor dhe për ruajtjen e traditave tona, duke nderuar aronian si simbol të fuqisë dhe qëndrueshmërisë.
“Javën që lamë pas në Prizren tek Arti Fruit, shënuam Ditën Ndërkombëtare të Aronisë, një frut që njihet për vlerat e tij të jashtëzakonshme për shëndetin dhe ekonominë tonë. Esati dhe baca Adem, janë shembull që duhet ndjekur. Ata të gjithë mundin e punën e vet në Zvicër, e kanë investuar në Kosovë duke plotësuar të gjithë zinxhirin e vlerës, si në tregun vendor ashtu edhe ndërkombëtar duke eksportuar lëngje, çaj e reçel. Aronia është një dhuratë e natyrës, e pasur me antioksidantë dhe përfitime të shumta për mirëqenien tonë. Do të vazhdojmë mbështetjen për prodhuesit vendorë dhe të ruajmë traditat tona, duke nderuar aronian si simbol të fuqisë dhe qëndrueshmërisë. Gëzuar Ditën e Aronisë!”, shkruan ministri Peci./TVPrizreni/