LAJME

Ministri Maqedonci takoi kadetët dhe oficerët e FSK-së në Shqipëri

Ministri Maqedonci takoi kadetët dhe oficerët e FSK-së në Shqipëri
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Dhjetor 2024, 20:05

Gjatë vizitës në Shqipëri, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zhvilloi një takim me kadetët dhe oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po ndjekin studimet në Fakultetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, si dhe kurse të ndryshme për zhvillimin e karrierës ushtarake.

Në këtë takim, Ministri shprehu krenarinë e tij për përkushtimin dhe angazhimin e ushtarakëve të Kosovës në përvetësimin e njohurive dhe aftësive, të cilat do të vihen në shërbim të zhvillimit të ushtrisë së Kosovës.

Komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, e informoi ministrin për programet e studimeve dhe vlerësoi nivelin e lartë të disiplinës dhe performancës së kadetëve dhe oficerëve të FSK-së.

Ministri Maqedonci vizitoi gjithashtu kursantët e FSK-së që po ndjekin Kursin Komando në Regjimentin e Operacioneve Speciale të Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH). Nga Komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Ilir Xhebaxhia, ministri u informua mbi zhvillimin e kursit dhe mbi performancën e lartë, motivimin dhe profesionalizmin që ushtarakët e Kosovës po tregojnë gjatë këtij trajnimi.

“Jam krenar për përkushtimin e secilit ushtarak të FSK-së që punon me përkushtim për një të ardhme më të sigurt për ushtrinë dhe Republikën tonë,” deklaroi ministri Maqedonci, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika