Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka thënë se udhëtimi i tij në Serbi dhe Kosovë, është mesazh që Italia përkrah dyja vendet për të arritur një mesazh kompromisi.
Tajani në konferencë të përbashkët për media me ministren e jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, të mbajtur në Prishtinë, ka thënë se ai ka marrë mesazhin nga dyja palët se ka gatishmëri për të ecur para në dialog.
“E vlerësova vendimin e Kosovës për ta pezulluar për 48 orë dhënien e gjobave, është sinjal i gatishmërisë. Sot në mëngjes kam dëgjuar për gatishmëri edhe nga ana e Serbisë. Të mbështesim këtë gatishmëri. Të dyja palët kanë dhënë gatishmëri. Kosova ka dëshmuar me vendimin për shtyrje të dhënies së gjobave se nuk do të mbyllet dialogu. Më jep shpresë dhe kemi ardhur për të kërkuar zgjidhje. Ne nuk jemi të mbajmë anën të asnjërës palë. Jemi në mes, duhet qëndruar në mes për të kërkuar zgjidhe të problemeve”, ka thënë Tajani.
Tajani ka thënë se nuk duhet krijuar probleme të reja në Ballkan pasi ka vuajtur mjaft.
E ministrja Gërvalla ka thënë se Tajani është mik i vjetër i Kosovës dhe evropian i përbetuar.
“Me ministrin biseduam rreth përparimit të Republikës së Kosovës në fushën e ekonomisë, vlerat e përbashkëta evropiane, reformën institucionale që është agjendë primare, rritjen e ndjeshme të investimeve në Kosovë. E falënderova për mbështetjen që Italia i ka dhënë Kosovës para e pas luftës. Falënderova ministrin qe ka theksuar përsëri që Italia do të mbetet një shtyllë e fuqishme. Biseduam rreth rrethanave gjeopolitike ne Evropë e rajon, për përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës. Biseduam se sundimi i ligjit është përgjigje e nevojshme që të jepet dhe jo vetëm në rajonin tonë. Biseduam edhe për dialogun që është duke u zhvilluar me Serbinë një dialog që synim duhet të ketë një rezultat përfundimtar që nuk mund të jetë ndryshe vetëm me njohje reciproke. Biseduam se jo rrallë janë bërë gabime në dialog dhe e siguruam që gabimet të mospërsëriten”, tha Gërvalla.