Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, është takuar në Pragë me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit GLOBSEC.
Hoxha ka vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e qëndrueshme për konsolidimin demokratik, forcimin institucional, reformat në sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik në Republikën e Kosovës.
“Kosova mbetet fuqishëm e ankoruar në rrugën e saj europiane, qartësisht e orientuar drejt integrimit në BE’së dhe plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Europian. Shqipëria beson se ky përkushtim i vazhdueshëm meriton njohjen e duhur dhe duhet të shoqërohet me dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE për Kosovën, një sinjal i rëndësishëm dhe inkurajues politik për qytetarët e saj dhe për të ardhmen europiane të rajonit në tërësi. Angazhimi i vazhdueshëm nga BE-ja dhe nga Përfaqësuesi Special i BE-së mbetet thelbësor dhe Shqipëria i mbështet plotësisht këto përpjekje. Ndërtimi dhe ruajtja e besimit ndërmjet palëve është themelor për suksesin e dialogut. Në këtë kontekst, ritheksova rëndësinë e sigurimit të përgjegjësisë së plotë për sulmin në Banjskë, thelbësore për forcimin e sigurisë, besimit dhe stabilitetit në rajon” – ka shkruar Hoxha në platformën X.





