Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg është shprehur, se Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina. Ai kërkoi çelje të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe MV dhe liberalizim të vizave me Kosovën.
Në një konferencë donatorësh të organizuar në Berlin (05.04.) për të ndihmuar Moldavinë, një vend i vogël me vetëm 2,6 milionë banorë, por që ka pritur deri tani 370.000 refugjatë, ministri i Jashtem austriak, Alexander Schallenberg është shprehur edhe për Ballkanin Perëndimor. Rusia nuk i hedh sytë vetëm nga Ukraina, por edhe nga Kaukazi jugor, nga Ballkani Perëndimor, dhe Republika e Moldavisë, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm austriak, shkruan agjencia Reuters.
Schallenberg kërkoi nga BE që të çelë sa më shpejt negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Unë pres që kjo të bëhet ende nën presidencën franceze”, tha Schallenberg. Por presidenca franceze merr fund në qershor.





