Faqja zyrtare e Ministrisë së Bujqësisë, njofton se në fundjave, ministri Faton Peci, ka vizituar disa blegtorë dhe gra përpunuese të qumështit të komunës së Dragashit.
“Të mirat na vijnë nga bujqit e blegtorët e vyer që përmes punës së tyre, begatojnë Kosovën. Djathi i Sharrit është dukat në vete, me të cilin matet vlera e kësaj zone.E duart e arta të grave Sharrit japin këtë rezultat.
Me një traditë shumë-vjeçare, Kymete Shefiku së bashku me dy punëtore të saja nga fshati Bellobrad i Komunës së Dragashit; përpunojnë qumështin e freskët në djath cilësor dhe e shesin tek bizneset agro-turistike vendase duke përmbullur me sukses ciklin nga ferma në tryezë.
Mjegulla e bjeshkës nuk ia zbeh shikimin qenit të Sharrit i cili ruan me fanatizëm tufën e deleve të familjes Myrtezani nga Zaplluxha.
Këtë vit, përmes Programit për Zhvillim Rural 2023, do të përkujdesemi që të rrisim fondin blegtoral pasi që është tejet e rëndësishme që tregu vendor të dominohet me qumësht e mish cilësor, nga bagëtitë e kontrolluara vendase.
Familja Myrtezani mbarështon rreth 350 krerë dele, 100 qingja, 50 krerë dhi, 15 keca, 40 krerë lopë, dhe 15 krerë viça për shtim të racës.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.